Hadije Imeri, bashkëshortja e ushtruesit të detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu (VV), është punësuar në Ndërmarrjen Publike Hidroekonomike “Ibër Lepenc” Sh.A, një shoqëri aksionare 100% në pronësi të Qeverisë së Kosovës, që aktualisht udhëhiqet nga Albin Kurti, pjesë e së cilës është edhe vetë Sallahu.
Sipas dokumentit zyrtar që ka siguruar Shënjestër përmes Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, vendimi për emërimin e Hadije Imerit në pozitën “zyrtare ligjore” mban datën 5 qershor 2025.
Kontrata është njëvjeçare, me mundësi vazhdimi.
Vendimi është nënshkruar nga Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, cili si Sallahu, është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në vendim thuhet se Hadije Imeri ka qenë kandidatja me më së shumti pikë në garë.
A ndikoi kolegialiteti partiak?
Shënjestër ka kontaktuar të dy palët, Faruk Mujkën dhe Blerim Sallahun, për të pyetur nëse kolegialiteti partiak mes tyre ka ndikuar në epilogun e konkursit ku u punësua bashkëshortja e u.d. i ministrit.
Blerim Sallahu nuk e ka hapur telefonin. Faruk Mujka nuk është përgjigjur në thirrjet tona.
Kontakti me Hadije Imerin gjithashtu ka qenë i pamundur.
Shënjestër mbetet e hapur për të përfshirë reagimet nga të përmendurit në këtë artikull.
Shënjestër kishte raportuar ekskluzivisht edhe më herët për punësimin e bashkëshortes së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, në të njëjtën ndërmarrje publike “Ibër Lepenc”.