Diplomati britanik John Duncan ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë se struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk funksiononte si një ushtri klasike, pasi fuqinë reale e mbanin komandantët e zonave.
“Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonalë, dhe kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneralin Agim Çeku në fillim të negociatave për marrëveshje”, tha Duncan gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit.
Ai tregoi se Çeku i kishte thënë se pa praninë e komandantëve të zonave nuk mund të merrej asnjë vendim. “Ai na tha: këtë nuk e bëj dot pa komandantët. Ju duhet të vini në Kosovë. Unë i besova, sepse ishte shumë ngulmues për këtë çështje”, tha diplomati.
Sipas Duncan, kjo qasje ishte e pazakontë, sepse NATO-ja në praktikë negocionte vetëm me komandantët më të lartë, jo me struktura rajonale. “Me UÇK-në ishte ndryshe. Ata nuk kishin një hierarki të rregullt. Pushtetet ishin të shpërndara në zona të ndryshme”, u shpreh ai.
Duke kujtuar një takim të 14 qershorit 1999 në Tiranë me gjeneralin Agim Çeku, komandantë të zonave dhe përfaqësues të UÇK-së, Duncan tha se atmosfera e asaj kohe i kishte lënë mbresa të forta. “Më kujtohet era. Vinte erë luftë, erë barut e tym. Ishte moment mbresëlënës për mua”, tha dëshmitari.
Në këtë takim, sipas tij, morën pjesë edhe Ramush Haradinaj, Rrustem Mustafa e të tjerë. Duncan e përshkroi Haradinajn si një figurë të veçantë: “Ishte si në filmat e Rambos. E kishte një emblemë në krah dhe të binte në sy si personazh”.
Dëshmitari shtoi se nga ky takim iu përforcua përshtypja se komandantët e zonave ishin aktorët kryesorë dhe duhej të përfshiheshin në çdo negociatë.