Në Gjykatën Speciale në Hagë, dëshmitari Paul Williams ka deklaruar se delegacioni kosovar gjatë negociatave ishte i fokusuar në fuqizimin e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Sipas tij, ky tribunal shihej nga pala kosovare si i vetmi mekanizëm drejtësie që duhej të funksiononte edhe për Kosovën.
“Delegacioni i shqiptarëve të Kosovës ishte i përqendruar kryesisht te juridiksioni, qasja dhe fuqizimi i Tribunalit kundër Jugosllavisë. Pra, me fjalë të tjera, ata ishin të përqendruar te ky instrument. Si mekanizëm të drejtësisë dëshironin që të kishin vetëm TPNJ-në dhe kjo ishte një pikë e rëndësishme”, tha Williams.
Williams u pyet gjithashtu nëse kishte dëgjuar që delegacioni kosovar të ketë kërkuar që UÇK-ja të kryente hetime të brendshme dhe të ndëshkonte anëtarët e saj për krimet e kryera.
Por, ai mohoi që të ketë pasur ndonjë bisedë të tillë me anëtarë të delegacionit shqiptar, amerikan apo të Grupit të Kontaktit.
Si përfundim, Williams ritheksoi se delegacioni kosovar mbeti i përqendruar te TPNJ-ja dhe e konsideronte atë si të vetmin instrument të drejtësisë për çështjet që lidhnin Kosovën.
Ai do ta vazhdojë dëshminë e tij nesër para trupit gjykues në Hagë.