Një lis është rrëzuar sot në rrugën “Xhemajl Prishtina” në kryeqytet.
Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale, përfshirë rënien e një shtylle të energjisë elektrike dhe dëmtimin e një veture.
“Si pasojë e motit që ka mbizotëruar sot në mëngjes, një dru i vjetër që gjendet afër RTK-së është rrëzuar. Nuk kemi të lënduar, janë disa dëme materiale”, tha Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës.
Ai ka bërë të ditur se vetura e dëmtuar është një taksi.
Rastin e ka konfirmuar edhe Enis Pllana, zëdhënës i Policisë së Kryeqytetit.
“Rreth orës 13:30 kemi pranuar informatën se një lis është rrëzuar në rrugën Xhemajl Prishtina. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, kurse nuk raportohet për të lënduar”, tha ai.