Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Hysri Selimit për veprën penale “Spiunazh”.
Sipas njoftimit, i pandehuri H.S. akuzohet se nga nëntori i vitit 2009 deri më 6 maj 2025 ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Në aktakuzë thuhet se më 2015 Selimi kishte udhëtuar në Siri dhe iu ishte bashkuar organizatës terroriste “ISIS”. “Ekziston dyshimi i bazuar mirë se H.S. kishte dërguar informacione te zyrtarët e BIA-së… në lidhje me pjesëmarrjen e shqiptarëve në ‘ISIS’ dhe zonat ku vepronin ata”, thekson Prokuroria.
Po ashtu, pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së dënimit për terrorizëm, ai dyshohet se ka vazhduar të takohej me zyrtarë të BIA-së në Serbi. “I njëjti kishte vazhduar të takohej… dhe të përcjellë informata tjera të rëndësishme”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, shpërblimi i Selimit arrinte deri në 700 euro në muaj.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe ndaj tij të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi.