Errët
Ndritshëm

Supremja refuzon ankesën e LVV-së për Listën Serbe

29.08.2025

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit kundër vendimit të PZAP-së për certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet lokale.

Sipas aktvendimit të 28 gushtit, Kurteshi dhe Krasniqi nuk kishin legjitimitet për të paraqitur ankesë në emër të tyre personalisht, pasi nuk ishin palë të drejtpërdrejta sipas vendimit të PZAP-së. Gjykata thekson se të drejtë për të parashtruar ankesë kanë vetëm KQZ-ja dhe zyra e saj, jo anëtarët individualë.

Supremja ka theksuar gjithashtu se kolegji i saj nuk ka shqyrtuar meritorisht çështjen. Ndërkohë, PZAP-ja kishte anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, me të cilin certifikimi i kandidatëve të Listës Serbe ishte refuzuar për shkak të mosplotësimit të disa kritereve ligjore.

Sipas PZAP-së, vendimi i KQZ-së nuk ishte i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk ishte dëshmuar që kandidatët ishin në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër certifikimit të Listës Serbe.

Errët
Ndritshëm