Errët
Ndritshëm

Skandal në Kroaci: Piloti i KFOR-it dhe e dashura serbe nga Kosova akuzohen për spiunazh

28.08.2025

Serbja e Kosovës, A.M., dhe piloti kroat J.I. po mbahen në paraburgim në Kroaci nën dyshimet për spiunazh.

Sipas mediave kroate, A.M. dyshohet se ka komunikuar me Vladimir Radivojeviqin, “Mamin”, i cili akuzohet për lidhje me sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

“Mami” njihet si lider i “Brigadës së Veriut”, organizatë e shpallur terroriste në Kosovë.

Në telefonat e çiftit janë gjetur mesazhe të koduara, mes tyre edhe për sulmin ndaj trupave të KFOR-it në Zubin Potok më 25 shtator 2022. Aty, A.M. i shkruante “Mamit”: “Duhet ta hekurosni sulmin ndaj KFOR-it me çdo kusht.”

Po atë ditë, piloti J.I., pjesë e kontingjentit kroat të KFOR-it, i shkroi partneres së tij: “Vërtetë e prishët punën mbrëmë.”

Prokuroria në Kroaci e akuzon pilotin për spiunazh të rëndë dhe ai mund të përballet deri me 10 vjet burg.

Ndërsa A.M. rrezikon deri në 5 vjet për mbledhje dhe transmetim të informatave sekrete. Gjykata e Qarkut në Split ka urdhëruar paraburgimin e tyre për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit te dëshmitarët.

Dyshja janë njohur në Kosovë më 2016. Ai si pjesëtar i KFOR-it, ajo si përkthyese në EULEX. Marrëdhënia e tyre ka zgjatur nëntë vjet. Hetuesve, piloti ka deklaruar se e dashura i dërgonte vetëm të dhëna të motit. Por akuzat thonë se ai i ka dhënë informacione të trupave të KFOR-it, që më pas janë përcjellë me aplikacione të koduara.

A.M. është mbrojtur duke pretenduar se punon për Shërbimin Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND).
Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetje për institucionet kroate dhe hetimet, ndërsa qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme për bashkëpunim.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka mohuar se A.M. ka pasur qasje në informacione të ndjeshme nga Zyra e Kryeministrit. Ai theksoi se qasja në dokumente konfidenciale është strikt e kufizuar dhe hedh poshtë çdo pretendim për rrjedhje të tilla.

Emri i “Mamit” është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit, kohë më parë e kishte përmendur atë si një nga figurat kryesore të lidhura me sulmin në Banjskë, përkrah Milan Radoiçiqit.

Errët
Ndritshëm