Errët
Ndritshëm

Kuvendi bllokohet për nënkryetarin serb, Rashiq s’i merr votat

28.08.2025

Seanca konstituive e Kuvendit është ndërprerë nga kryetari Dimal Basha, pasi kandidati për nënkryetar nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, nuk i mori votat e nevojshme. Ai tashmë ka shfrytëzuar dy raunde votimi dhe i mbetet vetëm edhe një mundësi.

Para tij, edhe disa kandidatë nga Lista Serbe nuk morën vota. Vetëvendosje kishte bërë thirrje që deputetët ta votojnë Rashiqin, duke përjashtuar mbështetjen për Listën Serbe.

Deputeti, Ramush Haradinaj këtë proces e quajti jokushtetues.

“Ndërhyrja në procedurë është jokushtetuese… Qëllimi është vetëm me e humbë kohën me shkelje kushtetuese që Kurti me vazhdu me mbetë ushtrues detyre i kryetarit të Qeverisë”, tha ai.

Nga VV, Hekuran Murati kritikoi opozitën për mosvotimin e Rashiqit:

“Nuk e kuptojmë cili është qëllimi i opozitës ku një pjesë abstenon dhe një pjesë nuk merr fare pjesë në votim. Nëse jo Nenad Rashiq, kush”, deklaroi Murati.

Slavko Simiq ka thënë se nënkryetari i zgjedhur serb duhet ta ketë shumicën e deputetëve serbë. Simiq ka shtuar se shorti në Kuvend për nënkryetarin është jokushtetues.

Sipas tij, Lista Serbe do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Errët
Ndritshëm