Errët
Ndritshëm

KQZ decertifikon kandidatin e VV-së për Asamble për shkak të kultivimit të hashashit

27.08.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për decertifikimin e kandidatit Rinas Zeqiri, i cili ishte propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Novobërdë si kandidat për asamblist në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Zeqiri, së bashku me tre persona të tjerë, ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh nën dyshimin për kultivim dhe prodhim të kanabisit në fshatin Vërbicë të Zhegovcit, në Gjilan.

Sipas Prokurorisë, më 23 gusht 2025, rreth orës 15:00, në fshatin Vërbicë e Zhegovcit të Komunës së Gjilanit, të pandehurit pa autorizim kanë kultivuar bimën e kanabisit. Pas informacioneve të pranuara nga Policia e Gjilanit se në këtë fshat mund të kishte të mbjella bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa, zyrtarët policorë kanë shkuar tek shtëpia e të pandehurit Ardit Sylejmani. Gjatë kontrollit në oborrin e shtëpisë, në brendësi të serave të ndërtuara, janë gjetur të kultivuara 496 bimë kanabis, me gjatësi deri në dy metra, të cilat dyshohet se ishin destinuar për prodhimin e narkotikëve.

Pas arrestimit, kryetari i LVV-së në Novobërdë, Abdyl Gashi, ka paralajmëruar se Rinas Zeqiri do të largohet nga lista e kandidatëve për Asamble nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe se ka inicuar kërkesën zyrtare në KQZ për zëvendësimin e tij.

Përveç Rinas Zeqirit, është decertifikuar edhe kandidatja Selvije Rogaçi në Han të Elezit.

Në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur më 27 gusht 2025, u bë e ditur se:

“Kandidatët që rekomandohen për decertifikim janë Rinas Zeqiri në Novobërdë dhe Selvije Rogaçi në Han të Elezit. Ndërkaq, në Mitrovicën e Veriut, kandidatët Jahir Demaku, Faton Qerimi dhe Afërdita Mustafi rekomandohen për certifikim.”

Errët
Ndritshëm