Errët
Ndritshëm

Kapen 18 migrantë të paligjshëm në Jarinjë

25.08.2025

Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë së Kosovës ka parandaluar një tentim kontrabande me migrantë të paligjshëm në afërsi të pikëkalimit kufitar Kosovë-Serbi (Jarinjë).

Policia ka njoftuar se aksioni është ndërmarrë më 24 gusht 2025, ku është ndaluar një autobus i linjës Mitrovicë-Beograd.

Gjatë kontrollit, në katin e dytë u zbuluan 18 shtetas të huaj të paregjistruar dhe pa të drejtë kalimi në territorin e Kosovës.
Hetimet e para tregojnë për një përpjekje të qëllimshme për kontrabandim të migrantëve. Pronari i kompanisë, G. A., dhe shoferi, B. D., dyshohen se kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në organizimin e transportit.

Nga verifikimet e policisë ka rezultuar se pesë shtetas palestinez kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze përmes Aeroportit të Prishtinës më 23 gusht 2025, gjashtë shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova, ndërsa shtatë shtetas egjiptian kishin hyrë përmes Shqipërisë dhe synonin kalimin në Serbi e më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe më pas janë dërguar në mbajtje, ndërsa migrantët janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj.

Errët
Ndritshëm