Blerim Latifi mund të përballet me Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës.
Është Parlamenti Studentor ai që nuk po e përjashton mundësinë që të bëjë ankesë në këtë organ, lidhur me dënimin që profesori universitar ka marrë për kërcënim ndaj disa nxënësve të klasës së parë dhe dy grave në një shkollë të Prishtinës, për të cilin raportoi ekskluzivisht Shenjester ditë më parë.
“Në shtator do ta bëjmë mbledhjen me pjesën tjetër të parlamentit, e shqyrtojmë si rast tërësisht dhe po besoj që do të bëjmë një zgjidhje ose t’paktën do të bëjmë ankesë nëse është e nevojshme”, tha për Shënjestër Drilona Hamiti, kryetare aktuale e Parlamentit Studentor.
Kryetari i Këshillit të Etikës, Flamur Hyseni, ka thënë se aktualisht nuk ka shkuar ndonjë ankesë tek ta.
“Në Këshillin e Etikës nuk kemi pranuar denoncim/ankesë lidhur me rastin që i referoheni ndaj Profesorit Blerim Latifi”, tha ai për Shënjestër.
Ai ka bërë të ditur se Këshilli nuk vepron në bazë të raportimeve mediale.
“Këshilli i Etikës (KE) nuk e ka këtë kompetencë. KE vepron vetëm mbi bazën e denoncimit/ankesës nga subjekti i autorizuar, sipas kuadrit normativ të UP-së, për të ngritur çështje në KE”,shtoi ai.
Universiteti i Prishtinës nuk është distancuar nga veprimet e Latifit, as gati një javë pas raportimit. Rektori Arben Hajrullahu, gjatë kësaj periudhe, nuk ka kthyer përgjigje përmes emailit dhe as nuk e ka hapur telefonin.
Këshilli i Etikës funksionon si organ i pavarur institucional, i cili trajton çështje që lidhen me respektimin e parimeve etike dhe procedurat disiplinore në rast të shkeljeve akademike, profesionale apo morale.
Ai ka të drejtë të rekomandojë një gamë të gjerë masash disiplinore, deri te përjashtimi, varësisht nga natyra e shkeljes. Masat shqiptohen me vendim të Këshillit të Etikës ose i rekomandohen Senatit të UP-së, si organi kryesor akademik në institucion.
Shënjestër do ta monitorojë rastin.