Errët
Ndritshëm

Organizatat humanitare i kërkojnë Izraelit të mos përdorë ndihmat si armë në Gazë

14.08.2025
Ap23317468467657 1699886423

Më shumë se 100 organizata kanë nënshkruar një letër të përbashkët me të cilën i kanë bërë thirrje Izraelit të heqë dorë prej përdorimit të “ndihmës si armë” në Gazë, ndërsa “uria po përshkallëzohet”, shkruan BBC.

Grupet humanitare, përfshirë Oxfam dhe Mjekët pa Kufij (MSF), deklarojnë se po u thuhet gjithnjë e më shumë se “nuk janë të autorizuar” që të ofrojnë ndihmë, përveç nëse u përmbahen rregulloreve më të rrepta izraelite.Grupet rrezikojnë të ndalohen nëse “delegjitimojnë” shtetin e Izraelit ose nuk japin informacione të hollësishme lidhur me stafin palestinez”, thuhet në letër.

Izraeli ka mohuar vazhdimisht se ka kufizuar ndihmën dhe thotë se rregullat, të zbatuara nga marsi, sigurojnë që ndihma “të arrijë drejtpërdrejt te popullsia dhe jo te ‘Hamasi’”.

Sipas letrës së përbashkët, shumica e organizatave të mëdha ndërkombëtare joqeveritare (OJQ) nuk janë lejuar të dorëzojnë asnjë kamion me ndihma kritike që nga 2 marsi.

Ato thonë se autoritetet izraelite “kanë refuzuar kërkesat nga dhjetëra organizata joqeveritare për të sjellë mallra shpëtimi”, duke përmendur rregullat e reja.

Më shumë se 60 kërkesa u refuzuan vetëm në korrik.

Pamundësia e grupeve të ndihmës që të ofrojnë ndihmë ka “lënë spitalet pa furnizime bazë, fëmijë, persona me aftësi të kufizuara dhe të moshuar që vdesin nga uria dhe sëmundjet e parandalueshme”, thuhet në deklaratë.

Errët
Ndritshëm