Errët
Ndritshëm

Policia në Mitrovicën e Veriut kap armë dhe municion në një banesë të uzurpuar

05.08.2025

Në një aksion të përbashkët me Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Vlerësim të Pronës (AKKVP), njësitë policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri kanë zbuluar dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh, municionesh dhe pajisjesh të tjera në një banesë të uzurpuar në rrugën “Lola Ribar” në Mitrovicë Veri.

Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar: 56 fishekë me kalibra të ndryshëm, municion për pushkë ajrore, një optik për armë të gjatë, një kuti për mbushje të municionit, fotrollë për pistoletë, dy gaz-maska, dy video-kamera dhe një video-kasetë, dokumente të ndryshme, një foto-aparat, lexues DVD, si dhe një vulë të rrumbullakët.

Në vazhdim të hetimeve, Policia ka identifikuar bashkëshorten e personit që dyshohet se kishte uzurpuar pronën. Gjatë kontrollit në banesën e saj, janë gjetur edhe një pistoletë, një tytë armë të shkurtër, një fishek dhe një armë e modifikuar në formë stilo-lapsi.

Lidhur me këtë rast, është arrestuar dhe intervistuar M.A., 56 vjeçe. Prokurori ka iniciuar rastin për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Pas intervistimit, ajo është liruar, ndërsa rasti vazhdon të procedohet në mënyrë të rregullt.

Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri apelon te qytetarët që të raportojnë çdo informacion për armë ilegale në numrin 192, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë e komunitetit.

Errët
Ndritshëm