Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zbuluar dhe ndaluar një automjet që po shpërndante barna pa banderola në barnatore të ndryshme në Prishtinë.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët gjetën sasi të konsiderueshme barnash të kontrabanduara, të cilat nuk kishin dokumentacion ligjor dhe banderola të Republikës së Kosovës.
Kjo ngre dyshime për origjinën dhe sigurinë e barnave për qytetarët.
“Me autorizim të Prokurorit kompetent, aktualisht janë duke u kryer kontrolle shtesë në barnatoret ku dyshohet se janë shpërndarë këto barna,” thuhet në komunikatën e publikuar nga Dogana e Kosovës.
I dyshuari u shoqërua për intervistim nga Dogana e Kosovës, ndërsa të gjitha barnat u sekuestruan si prova materiale. Aksioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar tregtinë e paligjshme dhe për të mbrojtur shëndetin publik.