Të paktën 91 palestinezë u vranë dhe mbi 600 të tjerë janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit. Sot kur emisari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, mbërriti në Izrael për të diskutuar situatën e rëndë humanitare në Gaza, ndërsa numri i palestinezëve të vrarë gjatë përpjekjeve për të siguruar ushqim dhe ndihma po vazhdon të rritet.
Vetëm të mërkurën, 54 persona u vranë ndërsa prisnin ndihma ushqimore në pjesën veriore të Gazës, pranë pikës së kalimit Zikim, raporton Associated Press.
Ministria theksoi se bilanci pritet të rritet, pasi shumë nga viktimat janë dërguar në spitale të vogla dhe të izoluara në veri të Gazës, të cilat ende nuk kanë raportuar të dhënat përfundimtare.
Ushtria izraelite deklaroi se turmat rrethuan kamionët me ndihma dhe se ushtarët izraelitë kanë qëlluar në ajër si paralajmërim, por thanë se nuk kanë dijeni për ndonjë të plagosur nga zjarri i tyre. Një zyrtar i sigurisë, që foli në kushte anonimiteti, deklaroi se të shtënat kanë ardhur nga brenda turmës, si pasojë e përplasjeve mes palestinezëve që po përpiqeshin të merrnin ndihma.
Emisari i posaçëm amerikan Steve Witkoff ndodhet në Izrael, për të diskutuar një armëpushim të mundshëm me zyrtarët izraelitë, ndërkohë që presioni ndërkombëtar për ndërprerje të sulmeve po rritet.