Errët
Ndritshëm

Mbi 60.000 palestinezë të vrarë gjatë luftës në Gazë

29.07.2025
Gaza

Më shumë se 60.000 palestinezë janë vrarë gjatë luftës 21-mujore nga Izraeli, njoftoi të martën Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Kjo ministri, që është pjesë e administratës së drejtuar nga Hamasi, tha se numri i të vrarëve ka arritur në 60.034, ndërsa mbi 145.870 persona janë plagosur që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023.

Ministria nuk specifikoi sa nga të vrarët janë civilë apo militantë, por tha se rreth gjysma e viktimave janë gra dhe fëmijë.

Ministria është e përbërë nga profesionistë të fushës mjekësore, dhe Kombet e Bashkuara, ashtu si edhe ekspertë të pavarur, i konsiderojnë statistikat e saj si më të besueshmet sa i përket numrit të viktimave.

Ofensiva izraelite ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka zhvendosur rreth 90 për qind të popullsisë dhe ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare.

Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC) paralajmëroi se kriza e urisë së shkaktuar nga njeriu mund të klasifikohet zyrtarisht si uri masive, me shpresën se kjo mund të rrisë presionin ndaj Izraelit për të lejuar dërgimin e shumë më tepër ndihmave ushqimore.

“Dëshmitë në rritje tregojnë se uria e përhapur, kequshqyerja dhe sëmundjet po shkaktojnë një rritje të vdekjeve të lidhura me mungesën e ushqimit”, thuhet në raportin e IPC-së.

Ky institucion shtoi se do të kryejë shpejt analizën formale që do t’i mundësonte ta shpallte Gazën si “në uri masive”.

Errët
Ndritshëm