80 vatra të reja zjarri janë raportuar gjatë natës së kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave. Prej tyre, 35 janë ende aktive, ndërsa 45 janë lokalizuar, thuhet në njoftimin e publikuar mbrëmë nga Agjencia.
Genc Metaj, drejtori i Agjencisë, ka thënë se ky numër është raportuar prej kur u bë evidentimi i fundit i tyre, të dielën në orën 20:00.
Sipas tij, zjarre aktive ka në pesë vende.
Nga këto zjarre janë prekur disa zona të Kosovës, prej së cilave më së rëndi ajo e Klinës.
Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, ka theksuar se gjatë së dielës është djegur një shtëpi banimi, ka pasur djegie të stallave të bagëtive dhe janë raportuar dëme të shumta materiale nga qytetarët.
Zonat me rrezikun më të madh ishin mes fshatrave Siqevë, Dush, Resnik dhe Jelloc, në të cilën zonë zjarri vazhdon të jetë aktiv.
KFOR-i, në anën tjetër, u desh të aktivizohej me helikopterë që gjendja të vihet nën kontroll.
Sipas KFOR-it, brenda dy orëve janë shpërndarë më shumë se 43 mijë litra ujë në zonat e prekura.
AME i bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë në numrat emergjentë 112, 193 ose 192.