Siguria e Kosovës po rrezikohet nga raste spiunazhi të lidhura me shërbimet sekrete serbe. Arrestimet e fundit ngrenë shqetësime për përmasat e kërcënimit dhe gatishmërinë institucionale për t’u përballur me të.
Këtë muaj, edhe një zyrtar tjetër policor i Kosovës, po ashtu me kombësi serbe, u dërgua në paraburgim nën dyshimet për spiunazh.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Bojan Jevtiq “është i arrestuari i gjashtë me radhë në rastet e spiunazhit në Kosovë”, pa dhënë detaje mbi periudhën kohore të arrestimeve.
Më herët këtë vit, Radio Evropa e Lirë raportoi për arrestimin e Jellena Gjukanoviqit, serbe nga Kosova, nën akuzat për spiunazh.
Në qershor të vitit të kaluar u arrestuan edhe Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, pas dyshimeve se spiunuan te BIA.
A është Kosova nën një ofensivë të inteligjencës serbe?
Në një konferencë për media më 22 korrik, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se situata e sigurisë, në përgjithësi, është e qetë dhe stabile.
“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë, sidomos të institucioneve të saj. Nuk është se gjithmonë kanë qenë – apo fare herë kanë qenë – në përkrahje të paqes dhe sigurisë në vendin tonë. Ne jemi të përgatitur për të gjitha sfidat që mund të ndodhin në vendin tonë”, tha Hoxha.
Serbia si kërcënim i vazhdueshëm
Javëve të fundit, udhëheqja shtetërore e Kosovës ka rritur veçanërisht zërin ndaj Serbisë, duke e cilësuar atë si burim të vazhdueshëm kërcënimi për sigurinë e vendit.
Presidentja Vjosa Osmani tha më 15 korrik se Serbia, vazhdimisht, përpiqet ta destabilizojë Kosovën – edhe me “akte agresioni”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, reagoi ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të bëra pas arrestimit të një zyrtari serb nga autoritetet kosovare, duke i quajtur ato kërcënuese dhe destabilizuese.
Vuçiq paralajmëroi “pasoja të paparashikueshme” pas arrestimit të Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili u dërgua në paraburgim për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
Kurti, po ashtu, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, pasi, siç tha, “ka indikacione” për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.
Përshkallëzimi i fundit i madh i situatës në Kosovë ndodhi në shtator të vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një polic.
Prishtina e cilësoi atë si sulm terrorist dhe të orkestruar nga Serbia, por Beogradi mohoi çdo përgjegjësi.
Në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027, Serbia përshkruhet si kërcënimi kryesor i sigurisë për Republikën e Kosovës.
Për rrezikun e vazhdueshëm të tensioneve në Kosovë paralajmëroi këtë muaj edhe një raport i inteligjencës kroate.