Errët
Ndritshëm

Tabela të reja po vendosen përgjatë kufirit Kosovë- Serbi

22.07.2025

Misioni i KFOR-it në Kosovë po vendos tabela të reja përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.

Sipas njoftimit, kjo po bëhet për shkak të natyrës malore dhe pyjore të terrenit për të ulur rrezikun e kalimeve aksidentale.

“Ushtarët e misionit KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, aktualisht veprojnë përgjatë Vijës Kufitare Administrative, brenda zonës së përgjegjësisë së KFOR-it, për të instaluar tabela të reja. Për shkak të natyrës malore dhe pyjore të terrenit, këto tabela vendosen për të shënuar qartë zonën e operacioneve të KFOR-it dhe do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale. Vendosja e tyre do të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme”, thuhet në njoftim.

KFOR-i ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetet e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës. Këto aktivitete përfshijnë patrullimet në veri të Kosovës dhe në afërsi të kufirit.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij-bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së — për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, përfundon njoftimi.

Errët
Ndritshëm