Errët
Ndritshëm

Nxehtësia ekstreme në Kosovë: Ministria rekomandon masa mbrojtëse

22.07.2025

Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22 – 25 korrik 2025.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë vjen pas vdekjes së dy punëtorëve të ndërtimit, të hënën në Gjakovë.

Sipas Ministrisë, më të rrezikuarit janë fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kritike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta.

Masat parashohin shmangie të punës në ambiente të jashtme prej orës 11:00 – 16:00.
Gratë shtatzëna të lirohen nga puna prej orës 11:00 deri në orën 16:00.
Personat me sëmundje kritike duhet të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë vendosi edhe masa mbrojtëse të përgjithshme për qytetarët.

Duhet të shmanget qëndrimi në ambientin e jashtëm në kulmin e nxehtësisë.
Të konsumohet ujë për t’u mbrojtur nga dehidratimi dhe të shmangen pijet e gazuara.
Duhet të përdoren kapelë dhe syze mbrojtëse nga dielli kur qëndrojmë jashtë, si dhe të mos lihen fëmijët vetëm në veturë derisa prindi apo kujdestari të kryejë ndonjë punë.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës gjithashtu ka njoftuar për rreziqet e temperaturave të larta që po mbizotërojnë këto ditë.

“Kushtet e motit jashtëzakonisht të rrezikshme, veçanërisht nëse zgjasin disa ditë rresht. Jetët e rrezikuara të njerëzve (veçanërisht për të sëmurët kronikë, personat nën terapi dhe kontroll mjekësor) dhe kafshëve. Probleme në furnizim me ujë, energji elektrike, vështirësi në trafik. Kushte moti jashtëzakonisht të favorshme për zjarre në pyje dhe të tjera”, thuhet në njoftim.

IHMK-ja ka thënë se, sa i përket motit, Kosova gjendet në zonën e kuqe, e cila llogaritet me rrezik ekstrem.

Errët
Ndritshëm