104 deputetë kanë qenë të pranishëm në seancë, por për Komisionin për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit kanë votuar vetëm 53 deputetë.
Kryesuesi Avni Dehari ka kërkuar nga partitë që të propozojnë emra për kandidatë për Komisionin për zhvillimin e procesit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Nga radhët e PDK-së, deputeti Elmi Reçica i ka thënë kryesuesit Dehari që “të mos lejojë të keqpërdoret”.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në anën tjetër ka thënë se Dehari është duke abuzuar me të drejtën që ka për të udhëhequr seancën.
Ndërsa Avni Dehari u ka thënë atyre se nuk lejohet debat dhe se kanë të drejtë vetëm të propozojnë emra për Komisionin për zhvillimin e procesit të votimit të fshehtë.
Vazhdimi i radhës është caktuar për të mërkurën, në orën 11:00.