Një përleshje me armë ndodhi këtë pasdite rreth orës 15:00 në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku mbetën të plagosur Gëzim Hoxhaj (32) dhe Ernest Lama (24).
Të dy u dërguan fillimisht në Spitalin Rajonal dhe më pas u transportuan drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, raporton Top Channel.
Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë publike.
Policia ka shpallur në kërkim dy vëllezër të dyshuar për ngjarjen: Ramadan Canaj (i njohur edhe si Ramadan Zoto), 43 vjeç, dhe vëllain e tij Erjon Canaj, 35 vjeç.
Ramadan Canaj konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë – me precedentë penalë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai ka qenë i përfshirë edhe në një përplasje me policinë greke dhe aktualisht ndodhet në proces gjyqësor në Sarandë për “goditje për shkak të detyrës”.
Ndërsa vëllai i tij, Erjon Canaj, ka qenë më parë i përfshirë në incidente të dhunshme. Në dhjetor 2022 ushtroi dhunë ndaj rojes së spitalit, dhe në shkurt 2024 u arrestua me dy armë zjarri, por më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata.
Operacioni për kapjen e tyre po vazhdon me mbështetjen e FNSH-së, ndërsa zona e ngjarjes është e rrethuar dhe kontrollet janë shtuar në gjithë qytetin dhe zonat përreth.
Hetimet po udhëhiqen nga Prokuroria e Sarandës.