Në rigjykimin për korrupsion ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës u dhanë fjalët përfundimtare.
Prokurorja speciale Habibe Salihu tha se është vërtetuar se Reçica ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet. Ajo theksoi se provat materiale dhe deklaratat e dhëna gjatë shqyrtimit tregojnë qartë se kompensimet financiare për punë shtesë ishin të jashtëligjshme dhe kanë dëmtuar buxhetin e shtetit, raporton Betimi për Drejtësi.
“Janë administruar prova të cilat pa mëdyshje tregojnë për elementet e veprave penale në pikat e aktakuzës,” tha Salihu, duke shtuar se pagesat ishin bërë për punonjës që nuk kishin kryer punë jashtë orarit, ndërsa disa kërkesa për mjete materiale ishin refuzuar për shkak të kundërligjshmërisë.
Ajo kërkoi që Reçica të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas Kodit Penal të Kosovës, duke vënë theks te rrezikshmëria shoqërore e veprave dhe dëmet e shkaktuara.
Në anën tjetër, avokati i Reçicës, Driton Muharremi, hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë, duke kërkuar aktgjykim lirues. “Aktakuza nuk e përmbush as minimumin e standardit të dyshimit të arsyeshëm, e lëre më të dyshimit të bazuar mirë,” deklaroi ai.
Fillimisht, Gjykata Themelore më 7 maj 2024 kishte shpallur Reçicën dhe tre zyrtarë të tjerë – Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini – të pafajshëm për keqpërdorime me tenderin për Autostradën e Gjilanit.
Por, Gjykata e Apelit e prishi pjesërisht aktgjykimin, duke e kthyer në rigjykim për pikat II, IIa dhe IIb – që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Ndërkohë, pikat tjera të aktgjykimit për vepra si “Ushtrim i ndikimit” dhe “Shpëlarje parash” u vërtetuan nga Apeli, raporton Betimi për Drejtësi.