Errët
Ndritshëm

Policia: Foshnja 9-muajshe që vdiq në QKUK, u ngufat nga lidhësja e djepit

12.07.2025

Policia e Kosovës ka konfirmuar se shkaku i vdekjes së foshnjës 9-muajshe, e cila ndërroi jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dy javë pas pranimit në spital, ishte ngufatja nga lidhësja e djepit gjatë kohës kur ishte në gjumë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se fillimisht foshnja ishte dërguar në repartin e Emergjencës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, dhe më pas është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK, ku ka ndërruar jetë.

“Më datë 29.06.2025, Policia e Kosovës është njoftuar se në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit është sjellë një foshnje 9-muajshe për trajtim mjekësor. Sipas informatave, foshnja H.M. (2024), nga fshati Gjinoc, Komuna e Suharekës, derisa ka qenë në djep (në gjumë), është ngulfatur nga lidhësja e djepit. Foshnja, pasi ka pranuar trajtimin mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, është transferuar në QKUK, Prishtinë, për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë ai.

Lidhur me vdekjen e foshnjës më 11 korrik, është njoftuar Prokurori Publik, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar.

Errët
Ndritshëm