Errët
Ndritshëm

Naim Murseli nuk ka çrregullim apo sëmundje mendore

11.07.2025

Naim Murseli nuk ka ndonjë çrregullim mendor.

Keshtu thuhet ne raportin e Institutit te Psikiatrisë Forenzike, qe hartua pas ekzaminimit psikiatrik të të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.

“Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji e nivelit patologjik, e cila do të mund të ndikonte në aftësinë e tij mendore për ta kuptuar rëndësinë e veprës si dhe të kontrollojë veprimet e tij”.

Në konstatimet e raportit thuhet se Murseli “është plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm”.

“Mund të marrë pjesë në seancën gjyqësore, është i aftë për të mbrojtur veten, të konsultohet me persona të tjerë duke përfshitë mbrojtësit, kupton akuzën dhe është në gjendje të përballet me gjykimin”, thuhet në raport.

Murseli para katër javësh ishte dërguar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike për ekzaminim psikiatrik.

Kërkesën për ekzaminim psikiatrik, mbrojtja e Murselit e kishte justifikuar duke thënë se klienti ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Errët
Ndritshëm