Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendosjes së gurthemeleve për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke kërkuar që çdo projekt infrastrukturor mes jugut dhe veriut të qytetit të zhvillohet në koordinim me të gjitha komunitetet përkatëse.
“Ndërtimi i dy urave të reja është një zhvillim me rëndësi praktike dhe politike. Çfarëdo projekti i infrastrukturës në këtë zonë kërkon dialog dhe koordinim të ngushtë me komunitetet”, thuhet në një përgjigje nga BE-ja.
BE-ja thekson se është thelbësore që projektet të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e banorëve lokalë.
Sa i përket urës ekzistuese mbi Ibër, e cila vazhdon të mbetet e mbyllur për qarkullim të automjeteve, BE-ja thotë se testimet e fundit nuk sjellin asnjë ndryshim në status quo-në aktuale.
“Jemi duke kryer vlerësim rutinor të strukturës dhe planifikimit urban për zonën përreth. Qëllimi është që çdo vendim mbi të ardhmen e urës të bazohet në të dhëna të sakta teknike. Autoritetet e Kosovës janë informuar me kohë”, thuhet në përgjigje.
BE shton se është në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për çështjen e urës dhe përsërit se të gjitha marrëveshjet nga dialogu Kosovë–Serbi, përfshirë ato që lidhen me urën mbi Ibër, duhet të zbatohen në tërësi.