Errët
Ndritshëm

Vdes 27-vjeçari gjatë arrestimit nga Policia, IPK nis hetim mbi vdekjen

07.07.2025

Një 27-vjeçar ndërroi jetë në rrethana të dyshimta gjatë arrestimit nga Policia e Kosovës. Rasti ka ndodhur në Lipjan në orët e para të së hënës.

“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan.

Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë.
Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, thuhet në raportin e Policisë.

Në përgjigjen për Shënjestër, doktoresha e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Lipjan, Albina Magashi, tha se personi ishte i lidhur kur ekipet mjekësore arritën në vendin e ngjarjes.

“Kur ekipet mjekësore arritën në vendin e ngjarjes, personi ishte i lidhur. Ne kërkuam t’i hiqen prangat për shkak të gjendjes shëndetësore. Pasi u vendos në autoambulancë, në vendin e ngjarjes u konstatua vdekja e tij”, tha ajo.

Me rastin është duke u marrë edhe Inspektorati Policor i Kosovës i cili njoftoi se rasti do te trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.

“IPK, në kuadër të autorizimeve ligjore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, do të vlerësojë dhe hetojë reagimin policor në këtë rast, përderisa rasti do të trajtohet si ‘Hetim mbi vdekjen’,” thuhet në raport.

Për rastin është angazhuar Prokurori i Krimeve të Rënda.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet hetimore, si dhe Prokurori i Krimeve të Rënda është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me rastin në fjalë. Po ashtu, edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës është në hetime të vazhdueshme”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Inspektorati Policor i Kosovës tha për Shënjestër se gjatë ditës do të dalë edhe me një komunikatë tjetër për publikun.

Errët
Ndritshëm