Errët
Ndritshëm

MPB apel qytetarëve: Mos ndizni zjarre, rrezikoni ndëshkim penal

05.07.2025

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë apel tek qytetarët që në këto kohë të nxehta mos të ndezin zjarre.

Më konkretisht, Agjencia e Menaxhimit Emergjent u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë stinës së verës, e cila karakterizohet me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për zjarre.

Zjarret në pyje, fusha dhe hapësira të hapura shkaktojnë dëme të mëdha materiale, ndotin ajrin, shkatërrojnë natyrën dhe rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

Madje, Agjencia e Menaxhimit Emergjent i ka kujtuar qytetarët se zjarrvënia është vepër penale.

“Vlen të theksohet dhe t’iu bëhet e ditur se zjarrvëniet e qëllimta, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepra penale të cilat sanksionohen me ligj.
Çdo person që shkakton zjarr, duke dëmtuar pronën publike apo private, ose duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe mjedisin, përballet me ndjekje penale dhe masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Agjencia ka kërkuar nga qytetarët bashkëpunim.

Në rast se hasni ndonjë zjarr apo dyshoni për zjarrvënie të qëllimshme, vëreni tym apo flakë në zona të hapura, mos hezitoni të lajmëroni shërbimet emergjente falas në çdo kohë (24/7):
Qendrat Operative Emergjente të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent – 112
Shërbimi Zjarrfikës – 193
Policia e Kosovës – 192

Errët
Ndritshëm