E raportoi Q8-shin e vjedhur, por u zbulua se gënjeu
Shtetas i Maqedonisë së Veriut, R.E, kishte raportuar në polici më 2 korrik se i është vjedhur makina me targa gjermane e tipit Audi, në vlerë prej 130 mijë euro, pasi e kishte parkuar në Ferizaj.
Por, zyrtarët pas hetimit kanë konstatuar se ankuesi nuk kishte qenë me veturën e deklaruar dhe se kishte tentuar ta mashtronte sigurimin e lëshuar nga autoritetet gjermane.
“Pas veprimeve hetimore dhe shqyrtimit të kamerave të sigurisë, u konstatua se ankuesi nuk kishte qenë fare me veturën e deklaruar, duke ngritur dyshime të arsyeshme për kallëzim të rremë. Dyshohet se qëllimi i këtij veprimi ka qenë keqpërdorimi apo mashtrimi i sigurimit, të lëshuar nga autoritetet gjermane”, njoftoi Policia e Kosovës.
Ndaj 55-vjeçarit janë nisur hetimet për një rast kallëzimi të rremë.
Policia ka kërkuar mbështetje nga autoritetet gjermane dhe të Maqedonisë së Veriut për lokalizimin e veturës.
I dyshuari është thirrur për intervistim, por sipas PK-së, ai nuk është paraqitur ende.