Kuvendi i Kosovës u kërcënua me bombë.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi, i cili ka thënë se alarmi për bombë është bërë nga një person në gjuhën angleze.
“Sipas njoftimit, është kërkuar evakuimi, sepse në gjuhën angleze një person ka thirrë dhe ka thënë që një bombë është vendosë në ndërtesë dhe e njëjta do të shpërthejë brenda 10 minutash,” ka thënë ai.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes me njësitë kompetente policore.
“Sot, me datë 05.07.2025, në orët e paraditës, është pranuar një informatë (me SMS) për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së.
Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuar personat nga objektet,” thuhet në përgjigje.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se kërcënimi duket se është bërë përmes telefonatës.
“Kërcënimi ka qenë i qartë, policia po mendon ashtu, të gjitha grupet parlamentare po i binden këtij vendimi.”
Abelard Tahiri, deputet nga radhët e PDK-së, ka thënë se krejt çka iu kërkua deputetëve është ta lirojnë ndërtesën.
“Ka një kërcënim, me gjasë me bombë. Policia, për shkak të masave të sigurisë, ka thënë se duhet të evakuohet stafi. Ka një kërcënim, nuk e di më tutje, Policia duhet të japë sqarime. Krejt çka na kërkuan është me liru ndërtesën,” ka thënë Tahiri.
Ndërsa deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk beson që ka ndonjë rrezik për deputetët.
“Është tepër e pakuptimtë kjo çka po ndodh. Ndoshta është ndonjë telefonatë e qëllimshme me i largu deputetët nga Kuvendi. S’ka njeri normal që e sulmon Kuvendin,” ka thënë ajo.
Policia e Kosovës ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë, të cilët, së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt.
Seanca që u shtye do të mbahet sot në ora 20:00.