Errët
Ndritshëm

EKSKLUZIVE: Salih Zybës i punësohet gruaja në Ibër-Lepenc

04.07.2025
Salihhhhh

Autorë: Granit Tahiri dhe Flamur Hoxha

Sofije Zyba, bashkëshortja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, është punësuar në Ndërmarrjen Publike Hidroekonomike “Ibër Lepenc” Sh.A.

Emërimi i saj si “Inxhiniere e Makinerisë” në Prishtinë mban datën 24 mars 2025.

Kontrata është 1-vjeçare, me mundësi vazhdimi, sipas vendimit zyrtar që ka siguruar Shënjestër përmes qasjes në dokumente publike.

Web

Vendimi është nënshkruar nga Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje. Ai, sikurse Zyba, është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Mujka është asamblist i kësaj partie në Mitrovicë të Jugut.
Keshilltar Ne Komunen Mitrovice

Kryeshef në Ibër Lepenc u zgjodh më 1 dhjetor 2022, por vendimi hyri asokohe në fuqi 5 ditë më vonë.

Faruk Mujka Kryeshef Ne Iberlepenc

Këshilltar e mik: Zyba shpesh në krah të Mujkës

Faruk Mujka dhe Salih Zyba shihen shpesh bashkë në fotografi, ku në njërën prej tyre i pari duket i privilegjuar që dëgjon këshilla nga i dyti.

Postimet Ne Facebook Te Salih Zybes (2)

Në një postim tjetër në Facebook, Mujka i uron ditëlindjen “shokut” të tij, Zyba.

Postimet Ne Facebook Te Salih Zybes (1)

Shënjestër ka pyetur të dy nëse afërsia mes tyre ka ndikuar në epilogun e konkursit, ku u punësua Sofija, gruaja e Salih Zybës.

Zyba nuk është përgjigjur, ani pse ka dëgjuar pyetjen në disa thirrje telefonike.

Gazetari: Përshëndetje, po flas me Salih Zyben?

Salih Zyba: Po, po, jam nxanë, të lutem.

Gazetari: Deshta të të pyes, a keni ndikuar në punësimin e gruas në Ibër-Lepenc?

[Salih Zyba heshtë për disa sekonda dhe e mbyll telefonin.]

Mujka mohoi ndikimin.

“Jo bre burrë pse me ndiku Sali Zyba te unë”, tha ai për Shënjestër.

Shënjestër ka tentuar të marrë një sqarim edhe nga zonja Zyba, por të premten ka qenë e pamundur. Institucioni, ku ajo punon, nuk na dha numrin e saj të telefonit dhe nuk na e ofroi asnjë mënyrë tjetër kontakti zyrtar me të. E vetmja gjë që premtoi ishte se do t’ia përcillnin numrin tonë Sofije Zybës. Deri tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Shënjestër mbetet e hapur dhe do ta përditësojë artikullin sapo të marrë një reagim nga protagonistja.

Në formularin e pasurisë për vitin 2021, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, nuk ka deklaruar që bashkëshortja e tij ka qenë e punësuar diku.

Deklarimi I Pasurise (1)

Kurse nga viti 2022 deri më 2025, figuron se bashkëshortja e tij ka punuar në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Deklarimi I Pasurise (2)

Deklarimi vjetor i pasurisë së zyrtarëve bëhet për vitin e kaluar. Për vitin kalendarik 2024, afati për deklarimin ishte më 1 prill 2025. Më 2024, Sofije Zyba punonte në BKS.

Hipokrizi e Vetëvendosjes, sipas analistit

Vetëvendosje, ku bëjnë pjesë edhe Salih Zyba dhe Faruk Mujka, dikur në opozitë kritikonte ashpër punësimet familjare në institucionet publike.

Analisti Jeton Halimi e ka quajtur hipokrizi qasjen e partisë, që drejtohet nga Albin Kurti.

“Kur VV ishte në opozitë, ishte shumë kritike ndaj pushtetit dhe qasja e saj ishte shumë e ashpër, si në veprime ashtu edhe në gjuhë. Tani që VV është në pushtet, po ndodh e njëjta gjë, madje edhe më keq, me punësime partiake”, tha Halimi për Shënjestër.

Ai është i bindur për një gjë.

“Mendoj se këto punësime partiake janë shumë të dëmshme dhe po zhgënjejnë votuesit e tyre”, theksoi tutje Halimi për Shënjestër.

Rreth Ibër Lepencit

Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc është një ndërmarrje që furnizon me ujë të papërpunuar industrinë, ujësjellësit dhe bujqësinë, si dhe prodhon energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit, sipas faqes zyrtare të kësaj ndërmarrjeje.

Ajo është shoqëri aksionare, 100% në pronësi të Qeverisë së Kosovës, e cila udhëhiqet aktualisht nga Albin Kurti.

Errët
Ndritshëm