Raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze të pushtuara Franceska Albanese ka bërë thirrje për sanksione dhe embargo armësh ndaj Izraelit, si dhe ka bërë thirrje që të mbahen përgjegjëse korporatat globale që po “përfitojnë nga gjenocidi” në Gaza.
Albanese u shpreh se nuk ka arsye të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pasi sipas saj vonesat ndodhin për shkak të ngarkesës së madhe të gjykatës me raste të tjera.
“E kam hetuar ditë pas dite për 630 ditë me radhë dhe, sinqerisht, pas pesë muajsh mund t’ju thoja se ishte gjenocid. Nuk ke nevojë për një shkencëtar për të përcaktuar se çfarë është gjenocidi, mjafton t’i lidhësh faktet,” tha ajo për The Guardian.
“Izraeli ka kryer veprime që njihen ndërkombëtarisht si gjenocidale, si vrasja e gati 60,000 personave (ndoshta edhe më shumë), krijimi i kushteve që synojnë shkatërrimin, shkatërrimi i 80% të banesave, mungesa e ujit dhe ushqimit,” tha ajo më tutje.
Sipas Anadolu Agency, ajo tha se “Izraeli është përgjegjës për një nga gjenocidet më mizore në historinë moderne”, duke bërë thirrje për embargo të plotë armësh dhe ndërprerje të lidhjeve tregtare me Izraelin.
Në një raport të paraqitur të enjten në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Francesca Albanese thekson përfshirjen e thellë të kompanive nga mbarë bota në mbështetjen ndaj Izraelit gjatë ofensivës 21-mujore në Gaza, raporton The Guardian.
“Ndërkohë që udhëheqësit politikë dhe qeveritë shmangin detyrimet e tyre, një numër tepër i madh kompanish ka përfituar nga ekonomia e Izraelit, e ndërtuar mbi okupimin e paligjshëm, aparteidin dhe, tani, gjenocidin,” thuhet në raport.
“Bashkëfajësia e zbuluar në këtë raport është vetëm maja e ajsbergut; kjo nuk do të marrë fund pa mbajtjen përgjegjëse të sektorit privat, përfshirë drejtuesit e tij ekzekutivë”, thotë Albanese.
Raporti i raportueses speciale titullohet “Nga ekonomia e okupimit te ekonomia e gjenocidit” dhe shqyrton përfshirjen e korporatave ndërkombëtare në furnizimin me armë dhe makineri të rënda që përdoren për shkatërrimin e lagjeve palestineze në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Po ashtu, raporti hedh dritë mbi kompanitë bujqësore që tregtojnë produkte nga vendbanimet ilegale dhe mbi fondet investuese që ndihmojnë në financimin e luftës, raporton The Guardian.
Në këtë raport theksohet se Izraeli është ndihmuar në financimin e luftës dhe përballimin e deficitit të thellë buxhetor përmes shitjes së bonove të thesarit. Sipas raportit, duke i blerë këto bono, financa ndërkombëtare ka ndihmuar në vazhdimin e luftës.
“Disa nga bankat më të mëdha në botë, përfshirë BNP Paribas dhe Barclays, kanë ndërhyrë për të rritur besimin në treg, duke garantuar bonot ndërkombëtare dhe ato të brendshme të thesarit, duke i mundësuar Izraelit të mbajë të ulët primin e interesit, pavarësisht uljes së vlerësimit të kreditit,” thuhet në raport.
Raporti përmend gjithashtu firma të menaxhimit të aseteve si Pimco (në pronësi të kompanisë gjermane Allianz) dhe Vanguard si blerës të mëdhenj të bonove të thesarit izraelit.
Pimco ka refuzuar të komentojë. Një zëdhënës i Vanguard deklaroi se kompania “respekton politika dhe procedura të forta për të siguruar pajtueshmërinë me të gjitha ligjet, rregulloret dhe sanksionet në juridiksionet ku operojmë. Kjo përfshin respektimin e ligjeve që mund të kërkojnë kufizime specifike investimi në kompani që janë sanksionuar për shkelje të të drejtave të njeriut”, raporton The Guardian.
Raportuesit specialë janë ekspertë të pavarur të të drejtave të njeriut, të emëruar për të këshilluar ose raportuar mbi situata të caktuara. Francesca Albanese, një juriste italiane, mban detyrën e raportueses speciale për territoret e pushtuara palestineze që nga viti 2022 dhe për herë të parë e ka cilësuar ofensivën izraelite në Gaza si gjenocid në janar të vitit 2024.