Ura e Ibrit në Mitrovicë është rikthyer përsëri në vëmendje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi ishte harruar si temë e si interesim i qeverisë së tij për hapjen e saj.
Plot deklarime ishin bërë nga Kurti se ura duhet të hapet, por të mërkurën mbrëma në një intervistë të rrallë në televizion, ai tha se nuk ka thënë se “urën do ta hapim” dhe nëse ka thënë kështu “ka gabuar”.
Kryeministri në detyrë e njëherit edhe deputet, Albin Kurti ishte fans i flakët për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë gjatë vitit të kaluar. Mirëpo, që nga atëherë e deri më sot, ura vazhdon të jetë e mbyllur ngjashëm qysh u mbyllën edhe deklarimet e Kurti e eksponentëve të VV-së për këtë temë.
Tash, të mërkurën mbrëma në një intervistë në Teve1, kryeministri në detyrë ka thënë se ka gabuar nëse ka deklaruar se “do ta hapim urën e Ibrit”.
“Unë kam thënë se duhet të hapet e do të hapet, nuk e di a e kam thënë ndonjëherë do ta hapim. Nuk e di a e kam thënë veten e parë njëjës do ta hapim, nëse e kam thënë kam gabuar sepse nuk kam thënë do ta hapim me karabinierët italianë. Ne nuk duam fërkime me karabinierët italianë dhe me shumë durim bisedojmë që të hapet ajo urë, unë besoj që do të hapet ajo urë sepse duhet të hapet”, ka thënë Kurti.
Por gjatë vitit të kaluar, Kurti në vazhdimësi thoshte se ura e Ibrit duhet të hapet.
Ai në një intervistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pati thënë se “janë vonuar” në hapjen e urës së Ibrit.
“Ura mbi lumin Ibër është dashur të hapet kur është çliruar Kosova para 25 viteve. Nuk është dashur të jetë e mbyllur kur u pavarësua Kosova para 16 viteve,e a jo është dashur të jetë e hapur edhe para 8 viteve në bazë të marrëveshjes së Brukselit, planit të zbatimit. Kësisoj ne jemi trefish të vonuar për shumë vite dhe ajo çfarë duhet të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë në të dy anët e lumit Ibër. Të kenë sundim të ligjit që nuk e përjashton askënd dhe kjo paraqet vetë frymëmarrjen e shtetit demokratik. Duhet të na mirëkuptoni që ne nuk mund të themi se sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë vlejnë gjithandej Kosovës për të gjithë, përveç se në urën kryesore në lumin Ibër”, kishte thënë Kurti në një lidhje direkte nga Çikago për Zërin e Amerikës.
Por kjo nuk është hera e parë, Kurti sa herë që pyetej thoshte se ura e Ibrit do të hapet.
“Hapja e urës nuk është kundër askujt e aq më pak ndaj partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale që do të thotë të hapura”, pati thënë Kurti në gusht të vitit të kaluar.
Ai thoshte se hapja e urës së Ibrit “nuk është çështje diskutimi është çështje hapje” dhe se “Hapja e urës së Ibrit nuk është kundër askujt”.
Ndërkohë, tash që Ura e Ibrit qëndron e mylluar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndërtimin e dy urave të reja krah urës së Ibrit.
Edhe për këto ura të reja, Qeveria Kurti në detyrë u kritikua dhe iu rikujtua që fillimisht duhet të hapet ura e Ibrit dhe jo të shpenzohen para të tjera në ndërtimin e dy urave.