Deputetët u mblodhën për të 36-tën herë në Kuvend. Konstituimi i Kuvendit dështoi përsëri.
Të hënën në sallë kanë qenë 99 deputetë, për formimin e komisionit kanë votuar 53 deputetë, kundër një dhe nuk ka pasur asnjë abstenim.
Fajin për dështimin partitë politike ia lënë njëra-tjetrës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i quajti bllokuese partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës. Murati thotë se LVV nuk po kërkon që ata të votojnë në një mënyrë të caktuar, por vetëm të votojnë në njërën nga mënyrat.
“Ishte edhe një vazhdim i radhës, sado e pabesueshme që mund të duket. Deputetët e opozitës vijnë në sallë dhe nuk votojnë. Askush nuk po kërkon që të votojnë në një mënyrë të caktuar, por të votojnë: për, kundër ose të abstenojnë, sepse është obligative sipas Kushtetutës,” tha ai.
Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, e ka quajtur bllokuese Lëvizjen Vetëvendosje.
“Bllokues është LVV, ata duhet të marrin veprime për të zgjidhur situatën, ne kemi propozuar zgjidhje. Humbësit më të mëdhenj të zgjedhjeve do të jenë LVV, kjo shihet edhe në matjet e opinionit publik,” tha Tahiri.
Ndërsa, sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kjo formë e mbajtjes së vazhdimeve të seancës për konstituimin e Kuvendit është e pakuptimtë. Berisha propozoi që të ketë hapësirë për debat gjatë seancës.
“Kësaj forme qysh na po vijmë në Kuvend i ka humbë kuptimi, me ardhë me votu pro apo kundër. Mendoj që duhet të bëhet si precedent dhe të mund të diskutojmë. Po shihet që ka irritim e pakënaqësi te populli,” tha ai.
Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën prej orës 11:00.