Të shtunën, vetëm blloku A3 i termocentralit “Kosova A” ka qenë funksional, ndërsa të gjitha njësitë tjera prodhuese, përfshirë edhe “Kosova B”, ishin jashtë funksionit. Si pasojë, u detyrua importi i mbi 4,000 MWh energji, me kosto mbi 500 mijë euro, për të mbuluar kërkesën në rritje nga temperaturat e larta.
“Ne vazhdojmë të punojmë intensivisht për të përmbushur kërkesën për konsum, e cila po shënon rritje për shkak të temperaturave të larta, konkretisht përdorimit të kondicionerëve. Importi për ditën e sotme është 4174 MWh, ose mbi gjysmë milioni euro”, ka thënë Margarita Rashiti, zëdhënëse në KESCO.
Sipas KESCO-s, importi ishte i domosdoshëm për furnizim stabil, ndërkohë që blloku A3 prodhoi mesatarisht vetëm 115 MW për orë, krahasuar me nevojën ditore prej rreth 480 MW. Çmimi i importit në bursën HUPX u rrit ndjeshëm nga 3.28 euro/MWh në orën 14:00, deri në 202.93 euro/MWh në orën 20:00, një rritje prej mbi 6000%.
Ndërkohë, KEK-u ka premtuar rikthimin në operim të bllokut B1 brenda 48 orëve, ndërsa njësia A5 pritet të rikthehet deri të martën. Blloku A4 është aktualisht në remont kapital.
Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, paralajmëroi se do të rikthehet në operim edhe njëri nga blloqet e Kosovës A.
“Ekipet teknike paralelisht janë duke punuar edhe te njësia A3, A4, A5. E dimë se njësia A3 është duke prodhuar sot dhe do të prodhojë edhe nesër, njësia A4 është në remont kapital, njësia A5 ka pasur probleme që janë lajmëruar para tri ditëve në kaldajë, edhe këtu janë angazhuar stafi profesional i Kosovës A. Të hënën ose të martën kthehet njësia në operim”, ka thënë Hasani.
Vetëm në maj, sipas të dhënave të ENTSO-e, Kosova ka importuar energji në vlerë 9.4 milionë euro, ndërsa në prill kjo vlerë ishte afro 17 milionë, ndonëse me prodhim më të qëndrueshëm.