Raketat iraniane shkaktuan dëme serioze në katër vende në Izraelin qendror dhe jugor, përfshirë spitalin Soroka. Ndërsa forcat izraelite raportohet se kanë sulmuar reaktorin bërthamor të ujit të rëndë në Arak të Iranit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se ende po peshon opsionet e tij mbi ndërhyrjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara në përshkallëzimin e armiqësive.
Më parë, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, paralajmëroi SHBA-në se çdo sulm në territorin e saj do të kishte “pasoja serioze të pariparueshme”.
Numri i të vdekurve nga sulmet e Izraelit ndaj Iranit është rritur në më shumë se 240, përfshirë 70 gra dhe fëmijë. Të paktën 24 persona janë vrarë në sulmet iraniane ndaj Izraelit.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka miratuar planet për të sulmuar Iranin, por nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do ta godasë vendin, raporton CBS.
Trumpi është përmbajtur nga nisja e sulmeve në rast se Irani pranon të braktisë programin e tij bërthamor, ka thënë një burim i lartë i inteligjencës për CBS.
Trumpi thuhet se po shqyrton një sulm amerikan ndaj Fordo-s, një strukturë nëntokësore e pasurimit të uraniumit në Iran.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të mërkurën ka hedhur poshtë kërkesën e Trumpit për dorëzim pa kushte, pasi presidenti amerikan deklaroi se durimi i tij kishte sosur.