Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka pretenduar se autoritetet në Prishtinë kanë ndaluar katër shtetas serbë gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm në pikat kufitare me Kosovën.
Sipas tij, ndalimi është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Petkoviq ka deklaruar se tre nga të ndaluarit janë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ndërsa një është ish-polic. Ai pretendon se arrestimi i tyre është bërë “pa asnjë bazë ligjore” dhe e ka quajtur atë një formë “hakmarrjeje politike ndaj serbëve”.
Sipas tij, të ndaluarit dhe familjet e tyre jetojnë prej vitesh në Kosovë dhe ushtrojnë detyra nëpër njësitë policore në Serbi.
“Aktualisht ata janë në paraburgim. Zyra për Kosovën do t’u ofrojë ndihmë juridike dhe do të njoftojë për këtë edhe ndërmjetësin e dialogut, Peter Sorensen, si dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.
Zyra për Kosovën ka publikuar edhe inicialet dhe vendet ku u ndaluan personat:
N.V. (26 vjeç) – Bërnjak
M.M. (28 vjeç) – Jarinjë
A.M. (36 vjeç) – Dheu i Bardhë
M.S. (53 vjeç, polic në pension) – Bërnjak.
Sfond
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka njoftuar sot se Nikola Vujoviqit i është hequr shtetësia e Kosovës pasi duke shërbyer si pjesëtar i forcave policore të Serbisë ka rrezikuar sigurinë kombëtare.
Gjithashtu, më 7 qershor, Serbia ka arrestuar ish-policin Arbnor Spahiu në pikën kufitare me Hungarinë, duke e akuzuar për pjesëmarrje në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Megjithatë, Policia e Kosovës ka thënë se Spahiu ka dhënë dorëheqje në vitin 2022. Atij i është caktuar masa e paraburgimit.
Ministria e Jashtme dhe Policia e Kosovës nuk kanë konfirmuar pretendimet e Petkoviq. Posa të ketë reagim nga këto institucione, artikulli do të përditësohet.