Errët
Ndritshëm

OVL-UÇK del në mbrojtje të ndryshimeve për Specialen

09.10.2026

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka dalë në mbrojtje të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, duke i cilësuar reagimet kundër tyre si të nxituara dhe të pabazuara në argumente juridike.

Në një reagim, OVL-UÇK ka thënë se deri më tani nuk është publikuar ndonjë analizë juridike që dëshmon se ndryshimet janë të pazbatueshme apo në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Sipas organizatës, debati publik është përqendruar më shumë në polemika dhe qëndrime politike sesa në argumente ligjore.

“Ne, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, besojmë dhe jemi të bindur se ndryshimet e miratuara përbëjnë një hap të rëndësishëm për ta vendosur Gjykatën Speciale në binarët e duhur të drejtësisë”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK ka kërkuar që pretendimet kundër ndryshimeve të mbështeten në fakte dhe dispozita konkrete ligjore, duke theksuar se bashkëpunimi me drejtësinë ndërkombëtare nuk nënkupton heqje dorë nga kërkesa për drejtësi të paanshme.

Kuvendi i Kosovës i miratoi të martën ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim, duke vlerësuar se ato janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Errët
Ndritshëm