Errët
Ndritshëm

Presidentja kthen në Kuvend ndryshimet në Ligjin për Specialen pas kërkesës së PDK-së

22.10.2026

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, i ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

PDK-ja kishte kërkuar kthimin e ligjit, me arsyetimin se disa dispozita mund të pengojnë zbatimin e tij dhe se nevojitet forcimi i sigurisë juridike.

Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa për rishqyrtim lidhet veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

Në arsyetimin e vendimit, Shiroka-Pula ka përmendur sakrificën dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në luftën për liri dhe pavarësi.

Ajo ka rikujtuar edhe mbështetjen për Deklaratën e Kuvendit të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Presidentja ka ritheksuar kundërshtimin ndaj përpjekjeve për ta shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës dhe për ta vënë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së.

Ajo ka bërë të ditur se po vazhdon konsultimet me përfaqësues institucionalë për bashkërendimin e veprimeve institucionale dhe diplomatike, me synim dokumentimin dhe mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës çlirimtare, si dhe mbështetjen e udhëheqësve të dënuar në Hagë.

PDK-ja: Nuk po tërhiqemi nga ligji

PDK-ja ka deklaruar se kërkesa për rishqyrtim nuk nënkupton tërheqje nga nisma ligjore, por synon plotësimin e dispozitave të caktuara dhe shmangien e pengesave në zbatimin e tij.

“Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

PDK-ja u ka bërë thirrje ekspertëve dhe Avokatit të Popullit që të paraqesin propozime konkrete për përmirësimin e ligjit.

Partia ka bërë të ditur gjithashtu se po punon për një strategji të koordinuar shtetërore për procesin e apelit, sigurimin e fondeve dhe mbështetjen e mbrojtjes së katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme”, thuhet në reagim.

Çfarë parasheh ligji?

Më 6 tetor, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, me nismën e PDK-së.

Ndryshimet synojnë kufizimin në kohë, territor dhe lëndë të mandatit të Gjykatës Speciale.

Miratimi i tyre erdhi pas dënimit të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim, ndërsa para vendimit të Kuvendit pati protesta për disa ditë.

Tash, me kthimin e ndryshimeve për rishqyrtim, Kuvendi duhet ta trajtojë sërish ligjin.

Errët
Ndritshëm