Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpër sulmin e sotëm fizik ndaj ekipit të televizionit Klan Kosova në Ferizaj.
Gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, gazetarja Arbenita Ilazi, kameramanët Erand Hyseni e Gramos Shala, si dhe shoferi Sefer Xhema, u sulmuan dhunshëm nga disa persona.
Si pasojë e sulmit brutal, anëtarët e ekipit të emisionit “Kiks Kosova” pësuan lëndime trupore dhe u dërguan me urgjencë për trajtim mjekësor.
Lajmin për ngjarjen e ka konfirmuar për media edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale në Ferizaj, Kanun Veseli.
“Ju njoftojmë se sot, më 07.10. 2026, rreth orës 11:40, në fshatin Doganaj të Ferizajt, katër operatorë të një televizioni vendor dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga një person”, ka thënë Veseli. “Për rastin janë njoftuar hetimet rajonale, të cilët në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore policore. Për detaje tjera do te njoftoheni me raport vijues”.
Sipas njoftimit nga AGK, sulmuesit goditën gazetarët dhe kameramanët derisa ata ndodheshin brenda veturës së tyre zyrtare.
“Hyseni, Shala dhe Xhema kanë marrë lëndime serioze nga sulmi dhe po trajtohen në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt”, thuhet në reagimin e organizatës.
Me këtë rast, AGK ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga organet e rendit për zbardhjen e plotë të rastit.
“AGK-ja e dënon në termat më të ashpër këtë sulm brutal fizik dhe kërkon nga Policia identifikimin dhe arrestimin e menjëhershëm të autorëve”, thuhet në reagim, duke shtuar se sulme si këto shpërfaqin sërish “ambientin e vështirë të të bërit gazetari në Kosovë”.
Në fund, organizata i bëri thirrje institucioneve për hetime të shpejta dhe për mbrojtjen e punës së gazetarëve në terren.