Bedri Hamza ka konfirmuar se Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë, Hamza tha se ndonëse e mirëpresin bashkëpunimin me Limajn dhe Nismën Socialdemokrate, kësaj radhe nuk do të ketë përfshirje të tyre në listën e kandidatëve për deputetë.
Sipas tij, letra e Limajt nuk ka përfshirë kërkesë për vend në listë, ndërsa theksoi se në të ardhmen mund të ketë hapësirë për bashkëpunim në procese të tjera politike.
“E mirëpresim kontributin e Limajt dhe Nismës, por kësaj radhe nuk do të jenë pjesë e listës,” u shpreh Hamza.
Ndërkohë, reagime ka pasur edhe nga Ramiz Lladrovci, i cili e ka kritikuar vendimin duke folur për ndikime të brendshme në parti, ndonëse ka mbështetur parimisht qëndrimin e kryetarit të PDK-së.
Limaj, i cili ishte një nga figurat themeluese të PDK-së para se të krijonte Nismën në vitin 2014, ka mbetur jashtë garës së kësaj radhe, ndërsa raportet mes dy kampeve politike vazhdojnë të mbeten të tensionuara prej vitesh.