Sipas gazetarit Sascha Tavolieri, Manchester United ka kontaktuar tashmë Aston Villën për të diskutuar një transferim të mundshëm të Morgan Rogers këtë verë. Raportohet se mesfushori është i hapur për t’iu bashkuar “Djajve të Kuq”, por vetëm nëse ata sigurojnë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Ky kusht është element kyç në vendimin e tij, pasi lojtari synon ta dërgojë karrierën në një nivel tjetër.
United aktualisht ndodhet në vendin e tretë në Premier League me 55 pikë pas 31 ndeshjeve. Aston Villa ka pikë të barabarta me ta, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar, ndërsa Liverpooli ndjek nga pas me tri pikë më pak.
Vlen të theksohet se Rogers po lidhet pothuajse me çdo klub të madh në Angli. Raportimet e mëparshme kanë përmendur interesim edhe nga Liverpooli, Chelsea dhe Arsenali.
Rogers është pjesë e Aston Villës që nga viti 2024. Mesfushori ofensiv ka bërë 46 paraqitje këtë sezon, duke shënuar 10 gola dhe duke dhënë 7 asistime.
Kontrata e tij me klubin nga Birminghami zgjat deri në vitin 2031. 23-vjeçari numëron gjithashtu një gol në 13 paraqitje me kombëtaren e Anglisë.