Errët
Ndritshëm

Nafta shtrenjtohet sërish në Kosovë, çmimi arrin deri në 1.35 euro për litër

03.03.2026
Diesel

Çmimi i derivateve të naftës është rritur sërish këtë të martë në Kosovë, duke arritur deri në 1.35 € për litër, varësisht nga kompania tregtare.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, çmimet aktuale të dizelit sillen nga 1.23 € deri në 1.35 € për litër, ndërsa benzina nga 1.24 € deri në 1.34 € për litër. Në një deklaratë për “Ekonomia Online”, Berjani ka theksuar se pavarësisht rritjes, tregu ka qenë stabil gjatë muajve të fundit.

Sipas tij, zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme po ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet globale. Tensionet në rajon dhe rreziku për ndërprerje të prodhimit, si dhe situata në Ngushticën e Hormuzitnjë nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë kanë shtuar pasigurinë në tregje.

Të hënën, çmimet globale të naftës shënuan rritje të ndjeshme. Sipas raportimeve, nafta e llojit Brent u rrit me rreth 10%, duke arritur mbi 82 dollarë për fuçi, pasi të paktën tri anije u sulmuan pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë fundjavës.

Megjithëse Kosova nuk importon mallra përmes këtij korridori, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka theksuar se ndikimi vjen përmes importeve nga shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat preken drejtpërdrejt nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Errët
Ndritshëm