Borussia Dortmund duket se ka vendosur çmimin për një largim të mundshëm të Karim Adeyemit. Sipas “Bild”, oferta për anësorin do të konsiderohen vetëm nga 60 milionë euro e lart.
Adeyemi ka qenë pjesë e “Black and Yellows” për tre vjet e gjysmë, duke u bërë një lojtar kyç në skuadrën e trajnerit Niko Kovaç. Megjithatë, 23-vjeçari ka pasur luhatje formash, ndërsa së fundmi ka marrë më shumë vëmendje për incidentet jashtë fushës sesa për performancën e tij.
Zgjatja e kontratës së tij, e vlefshme deri në 2027, mund të shtyhet përkohësisht për shkak të shkeljeve disiplinore nga një incident me armë deri tek shpërthimet nervoze në ndeshjen ndaj Borussia Mönchengladbach. Sipas mediave gjermane, edhe partnerja e tij është lodhur nga jeta në Dortmund dhe dëshiron të zhvendoset në një qytet tjetër.
Pas pushimeve, Dortmund do të mbajë një mbledhje krize, ku do të marrin pjesë drejtuesit e klubit, trajneri Kovaç dhe drejtori sportiv Lars Ricken, për të vendosur se çfarë të bëjnë me të ardhmen e Adeyemit.

Më herët, agjenti i tij, Jorge Mendes, kërkoi një rritje të madhe page dhe status titullari për klientin, por skandalet e fundit mund ta shtyjnë klubin drejt një ndarjeje të parakohshme. Kujtojmë se gjatë verës, drejtuesit e Dortmundit kërkonin nga 65 deri 70 milionë euro për kartonin e tij.
Në këtë sezon, Adeyemi ka shënuar 6 gola dhe 3 asistime në 22 ndeshje.