Policia e Kosovës ka njoftuar se në zonat me lartësi më të ulët gjeografike ka filluar paraqitja e mjegullës, një dukuri që shpesh krijon kushte të rrezikshme për ngasje. Autoritetet apelojnë tek të gjithë shoferët që të jenë të kujdesshëm, pasi ndryshimet e shpejta të dukshmërisë mund të rrisin rrezikun e aksidenteve, ndërsa mjegulla e dendur shfaqet kryesisht pranë lumenjve.
Sipas Policisë, përdorimi i dritave të mjegullës është thelbësor. Këto drita ndriçojnë më mirë rrugën përpara dhe e bëjnë automjetin më të dukshëm për pjesëmarrësit e tjerë në trafik. Po ashtu, disa automjete janë të pajisura edhe me drita të pasme të mjegullës, të cilat ndihmojnë shoferët prapa të vërejnë automjetin nga distanca më e madhe.
Mjegulla krijon shpesh iluzione optike, duke çuar shoferët të mendojnë se po lëvizin më ngadalë sesa në të vërtetë. Për këtë arsye, Policia kërkon që të gjithë shoferët të shmangin shpejtimin dhe të mbajnë vëmendje të shtuar gjatë lëvizjes.
Shoferëve u kërkohet të mbajnë të ndezura dritat gjatë ngasjes, por të mos përdorin dritat me rreze të gjata. Këto të fundit mund të reflektohen nga mjegulla dhe të kthehen drejt automjetit, duke ulur dukshmërinë dhe duke e bërë më të vështirë që të tjerët t’i shohin.
Policia apelon për kujdes të shtuar, sidomos gjatë orëve të hershme të mëngjesit dhe mbrëmjeve, kur mjegulla është më e pranishme.