Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar se në ambientet e jashtme të Ambasadës së Kosovës në Berlin janë vendosur etiketa fyese me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe.
Sipas reagimit zyrtar, mbishkrimet janë vendosur mbi pllakatin identifikues të objektit dhe përmbajnë slogane nacionaliste e nxitëse, përfshirë mesazhe si: “Nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi”, si dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.
Menjëherë pas identifikimit të rastit, Ambasada ka njoftuar autoritetet kompetente në Gjermani. Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, duke përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Në reagimin e lëshuar më 03.03.2026, MPJD ka dënuar ashpër aktin, duke theksuar se çdo formë vandalizmi dhe gjuhë urrejtjeje ndaj përfaqësive diplomatike është e papranueshme.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon fuqishëm çdo akt vandalizmi, gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
Tutje theksohet se veprime të tilla bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë dhe mbrojtjen e misioneve diplomatike.