Errët
Ndritshëm

Me një limë dhe disa çarçafë: Shqiptari arratiset nga burgu i sigurisë së lartë në Milano

09.12.2025

Një limë metalike dhe disa çarçafë të lidhur.

Këto dy sebepe, që duken qesharake për një burg të sigurisë së lartë, më 7 dhjetor i hapën derën e arratisjes Taulant Tomës, 41 vjeç, i dënuar deri në vitin 2048.

Në orët e para të mëngjesit, Toma ka prerë hekurat e dritares së qelisë me një limë të marrë nga laboratori i burgut. Sipas burimeve të hetimit, ai ka punuar me qetësi dhe durim, duke shmangur çdo zhurmë që mund të alarmonte rojet, raporton gazeta e njohur italiane, La Repubblica.

Pasi ka hapur shtegun, ai ka përdorur çarçafë të lidhur midis tyre për të zbritur poshtë.

Zbritja dhe kalimi i murit 6 metra të lartë nuk e kanë ndaluar. Në pak minuta, ai ka qenë jashtë perimetrit të burgut Opera në Milano.

Kur rojet kanë kontrolluar qelinë, Toma kishte tashmë një orë që ishte zhdukur.

Kjo nuk është arratisja e parë për Taulant Tomen, ai iku edhe nga burgu i qytetit Terni, Itali; më pas, në vitin 2013, nga burgu në Parmë; dhe në të njëjtin vit edhe nga burgu në qytetin Lantin, pranë Liège, Belgjikë.

Errët
Ndritshëm