Errët
Ndritshëm

BE-ja e gatshme të punojë me qeverinë e re, përmend dialogun me Serbinë

08.12.2025

Zyrtarë nga Brukseli kanë bërë të ditur se heqja e sanksioneve mund të diskutohet vetëm pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe formimit të qeverisë së re. Zëdhënësja Yuliya Matsyk ka deklaruar se BE-ja pret që Kosova të kthehet në binarët e reformave dhe të bëjë përparim në dialogun me Serbinë – dy kushte që po paraqiten gjithnjë e më qartë si çelësi për heqjen e masave.

Sipas saj, Komisioni Evropian ka nisur “zvogëlim gradual” të masave qysh në maj 2025, por vazhdimi i këtij procesi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet e brendshme politike në Kosovë dhe me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. BE-ja e ka mirëpritur dorëzimin pa tensione të pushtetit në katër komunat veriore, mirëpo sinjalizon se kjo nuk mjafton për vendim final.

Raportimi i KOHËS ka zbuluar përçarje të forta brenda BE-së: Franca, Italia, Spanja, Hungaria dhe Sllovakia po kundërshtojnë heqjen e masave, në kohën kur të paktën 13 shtete tjera kërkojnë anulimin e tyre. Sipas diplomatëve, Komisioni “po fshihet pas disa shteteve anëtare”, duke shtyrë procesin dhe mbajtur një qëndrim të dyfishtë.

BE-ja, ndërkohë, ka përshëndetur tranzicionin e qetë në veri. Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, pas takimit me kryetarët e rinj në Zveçan, ka theksuar nevojën për bashkëpunim qendror-lokal dhe për respektim të të drejtave të komuniteteve joshumicë.

Në këtë klimë tensioni politik e burokratik, Bedri Hamza (PDK) i ka dërguar letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të sanksioneve. Ai ka theksuar se qytetarët e Kosovës po ndëshkohen padrejtësisht për shkak të gabimeve të qeverisë në largim dhe se masat po e dëmtojnë zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të vendit.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur pas eskalimeve të vitit 2023, kur vendimi i qeverisë për të futur kryetarët në objektet komunale çoi në protesta dhe dhunë ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Sot, BE-ja duket e gatshme të diskutojë heqjen e tyre – por vetëm pasi Kosova të dalë nga kutitë e votimit dhe të rifillojë dialogun politik në drejtimin që Brukseli pret.

Errët
Ndritshëm