Leart Krasniqi, sulmuesi 17-vjeçar me origjinë nga Kosova, por i rritur në Suedi, po shkruan kapitujt e parë të një historie që pritet të jetë e madhe në futbollin europian.
Aktualisht pjesë e IF Brommapojkarna U19, Learti është gjithashtu pjesë e përfaqësueses shqiptare U19, duke përfaqësuar flamurin kuqezi me krenari në nivelet e para ndërkombëtare. Ai tashmë ka shijuar titujt e mëdhenj në veri: kampion i Suedisë me ekipin e tij dhe kampion i Skandinavisë, duke treguar se nuk është thjesht një talent lokal, por një lojtar me ndikim në të gjithë rajonin.
Në një intervistë të dhënë vitin e kaluar për Shenjester.net, Learti i kishte habitur të gjithë me shifrat e tij: 22 gola dhe 19 asistime në 26 ndeshje. Shifra të frikshme për një futbollist 17-vjeçar që tregonin qartë se përpara ishte një lojtar i destinuar për nivele të larta.
“Ëndrra ime është të luaj për Barcelonën”, kishte thënë atëherë me sinqeritet e guxim, duke e vendosur veten aty ku vetëm më të guximshmit guxojnë të ëndërrojnë.
View this post on Instagram
Tani, një vit më vonë, ëndrrat e Leartit kanë marrë një tjetër dimension. Ai ka arritur marrëveshje për menaxhim me një nga agjencitë më të fuqishme në botë, HCM Sports Management – agjencia që përfaqëson yje të kalibrit të Frenkie de Jong, Antonio Rüdiger, Viktor Gyökeres e dhjetëra lojtarë të tjerë të nivelit botëror.
Ky është një hap gjigant për një futbollist 17-vjeçar shqiptar, sepse nën ombrellën e HCM gjenden emrat më të mëdhenj dhe shpresa më e madhe për të ndërtuar një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.
Historia e Leart Krasniqit është historia e një djali shqiptar që po rritet larg vendlindjes, por me zemër gjithmonë te Kosova. Me trofetë në Suedi, me statistika marramendëse, me ëndrra të mëdha dhe tashmë me menaxhimin nga një super-agjenci, rruga për të arritur në elitën e futbollit europian është më e hapur se kurrë.
Në futboll, asgjë nuk garantohet, por një gjë është e qartë: Leart Krasniqi është një emër që duhet mbajtur mend. Nga Brommapojkarna në Barcelonë? Ndoshta një ditë. Por rruga ka nisur.