Errët
Ndritshëm

Marrëdhëniet me Amerikën nuk janë prishur, thotë Kurti

19.09.2025

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të forta, pavarësisht pezullimit të planifikuar për dialogun strategjik nga Ambasada amerikane në Prishtinë.

“Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime. Nuk dua t’i minimizoj zhvillimet e fundit, por siguroj qytetarët se qeveria jonë i trajton seriozisht qëndrimet e Ambasadës Amerikane”, u shpreh Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai tha se dallimet kryesisht lidhen me qëndrimet ndaj Serbisë dhe strukturave të saj ilegale në Kosovë, por theksoi se bashkëpunimi në mbrojtje dhe zhvillim po ecën përpara.

Kurti përmendi blerjen e pajisjeve ushtarake dhe vazhdimin e Programit MCC si shembuj të raporteve pozitive.

Sipas tij, pezullimi nuk nënkupton ndërprerje të komunikimit me Ambasadën amerikane.

“Bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut si proces dhe as të komunikimit të rregullt”, tha ai.

Ambasada amerikane njoftoi më 12 shtator 2025, se ka pezulluar dialogun strategjik për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas saj, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë. Qeveria i hodhi poshtë kritikat, duke theksuar se veprimet e saj kanë qenë ligjore dhe kushtetuese.

Errët
Ndritshëm